Ky është përkthim i një faqeje Anglisht në origjinal.
Përmbledhje e Sistemit GNU
Sistemi operativ GNU është një sistem software-i i plotë dhe i
lirë, i përputhshëm me Unix-in. GNU do të thotë “GNU’s Not
Unix”. Richard Stallman dha Njoftimin Fillestar të Projektit
GNU më Shtator 1983. Një version më i gjatë, i quajtur GNU Manifesto u botua në Mars 1985. Është
përkthyer në disa gjuhë të
tjera.
Emri i “GNU”-së u zgjodh sepse plotësonte disa kushte; së pari,
qe shkurtim për “GNU’s Not Unix”, së dyti, ngaqë qe fjalë e
njëmendtë, dhe së treti, është e lezetshme ta thuash (or Këndojeni).
Fjala “i lirë” te “software i lirë” ka të bëjë me lirinë, jo çmimin. Mund të paguani ose
jo një çmim që të keni software GNU. Me ose pa pagesë, pasi ta
keni software-in, me përdorimin e tij gëzoni katër liri specifike.
Lirinë për ta xhiruar programin si t’ju pëlqejë; lirinë për ta kopjuar
programin dhe për t’ua dhënë atë miqve dhe kolegëve tuaj; lirinë për ta
ndryshuar programin si të doni, duke patur hyrje të plotë te kodi burim;
lirinë për shpërndarjen e çfarëdo versioni të përmirësuar të tij duke
ndihmuar kështu në krijimin e një bashkësie. (Nëse rishpërndani
software GNU, mund të kërkoni pagesë kundrejt aktit fizik të
shpërnguljes së një kopjeje të tij, ose mund t’i jepni falas kopjet.)
Projekti për zhvillimin e sistemit GNU quhet “Projekti GNU”.
Projekti GNU u konceptua më 1983 si një rrugë për të risjellë frymën e
bashkëpunimit që mbizotëronte në bashkësinë e shkencave kompjuterike në
fillimet e veta—për ta bërë sërish të mundur bashkëpunimin, duke hequr
pengesat e vëna ndaj tij me detyrim nga pronarët e software-it
pronësor.
Më 1971, kur Richard Stallman filloi karrierën e vet në MIT, punoi në një
grup që përdorte vetëm software
të lirë. Madje edhe kompanitë e kompjuterave shpesh shpërndanin
software të lirë. Programuesit qenë të lirë të bashkëpunonin me
njëri tjetrin, dhe kështu bënë shpesh.
Në vitet ’80, thuajse krejt software-i qe pronësor, që do
të thotë se për të kishte pronarë, të cilët e ndaluan dhe e penguan
bashkëpunimin mes përdoruesve. Kjo e bëri Projektin GNU të domosdoshëm.
Çdo përdorues kompjuteri ka nevojë për një sistem operativ; po qe se nuk ka
sistem operativ të lirë, atëherë as që mund të filloni të përdorni një
kompjuter pa i kthyer sytë nga software-i pronësor. Kështu që hapi
i parë në rrugën e software-it të lirë pa dyshim qe një sistem
operativ i lirë.
Vendosëm të bënim një sistem operativ të përputhshëm me Unix-in ngaqë
konceptimi i tij në përgjithësi qe tashmë i provuar dhe i ndërkalueshëm, dhe
ngaqë përputhshmëria do ta bënte të lehtë për përdoruesit e Unix-it të
hidheshin nga Unix në GNU.
Një sistem operativ i ngjashëm me Unix-in përfshin kernelin, përpiluesit,
përpunuesit, formatuesit e teksteve, software poste, ndërfaqe
grafike, librari, lojëra dhe mjaft gjëra të tjera. Ndaj, shkrimi i një
sistemi të plotë operativ është punë shumë e madhe. Ia filluam më Janar
1984. Free Software Foundation u themelua në
Tetor 1985, fillimisht për të mbledhur fonde për zhvillimin e GNU-së.
Aty nga 1990 ose i kishim siguruar, ose i kishim shkruar krejt përbërësit
kryesorë, hiq një—kernelin. Ndërkohë, Linux, një kernel i ngjashëm me
ata Unix, po zhvillohej nga Linus Torvalds më 1991 dhe u shndërrua në
software të lirë më 1992. Ndërthurja e Linux-it me sistemin
thuajse të plotë GNU solli një sistem operativ të plotë: sistemin
GNU/Linux. Sipas vlerësimesh, sistemet GNU/Linux përdoren nga dhjetëra
milionë vetë sot, zakonisht në formë shpërndarjesh
GNU/Linux. Versioni kryesor i Linux-it tani përmban
“bulëza” firmware jo të lirë ; aktivistët e
software-it të lirë tani administrojnë versione të lira të
Linux-it, të quajtur
Linux-libre.
Megjithatë, Projekti GNU nuk kufizohet me thelbin e sistemit operativ.
Synimi ynë është të ofrojmë një spektër të plotë software-i, për
çfarëdo që duan të bëjnë një shumicë përdoruesish. Këtu përfshihen
software zbatime. Shihni Listën e Software-it
të Lirë për një katalog programesh zbatim software-i të lirë.
Duam gjithashtu të ofrojmë software për përdorues që nuk janë
ekspertë kompjuteri. Ndaj edhe kemi zhvilluar desktopin grafik (të quajtur GNOME) si
ndihmë për fillestarët në përdorimin e sistemit GNU.
Duam gjithashtu të ofrojmë lojëra dhe gjëra të tjera për kalimin e kohës së
lirë. Ka tashmë plot lojëra të lira.
Sa larg mund të shkojë software-i i lirë? Nuk ka kufij, hiq rastin
kur ligje të tillë si
sistemi i patentave e ndalon software-in e lirë krejtësisht.
Synimi përfundimtar është të ofrohet software i lirë që të kryejë
në kompjuter krejt llojet e punëve që duan të kryejnë përdoruesit—dhe
për ta bërë kështu software-in pronësor diçka të së kaluarës.