Ky është përkthim i një faqeje Anglisht në origjinal.
Linux-i dhe Sistemi GNU
nga Richard Stallman
Mjaft përdorues kompjuteri xhirojnë përditë ndonjë version të modifikuar të
sistemit GNU, pa e
ditur. Përmes një kthese të veçantë të ngjarjeve, versioni i GNU-së që
përdoret gjerësisht sot, shpesh thirret “Linux”, dhe mjaft nga
përdoruesit e tij nuk janë
të ndërgjegjshëm se në thelb bëhet fjalë për sistemin GNU, hartuar nga
Projekti GNU.
Ka vërtet një Linux, dhe këta njerëz po e përdorin, por bëhet fjalë vetëm
për një pjesë të sistemit që përdorin. Linux-i është kerneli: programi në
sistem që shpërndan aftësitë e makinës te programet e tjera që xhironi.
Kerneli është pjesë themelore e një sistemi operativ, por në vetvete i
padobi; mund të marrë kuptim vetëm në kontekstin e një sistemi të plotë
operativ. Linux-i përdoret normalisht i ndërthurur me sistemin operativ
GNU: sistemi i plotë është në thelb GNU me Linux-in shtuar atij, ose
GNU/Linux. Krejt të ashtuquajturat shpërndarje “Linux” janë
përnjëmend GNU/Linux.
Mjaft përdorues nuk e kuptojnë ndryshimin mes kernelit, që është Linux-i,
dhe krejt sistemit, çka edhe këtë e quajnë “Linux”. Përdorimi i
dykuptimtë i emrit nuk ndihmon të kuptuarit nga ana e njerëzve. Këta
përdorues shpesh mendojnë se Linus Torvalds-i zhvilloi krejt sistemin
operativ më 1991, me pakëz ndihmë.
Programuesit përgjithësisht e dinë që Linux-i është një kernel. Por ngaqë
dëgjojnë të quhet krejt sistemi “Linux” po ashtu, shpesh
përfytyrojnë një historik që do të përligjte thirrjen e krejt sistemit sipas
kernelit. Për shembull, ka plot që besojnë se sapo Linus Torvalds-i
përfundoi së shkruari Linux-in, kernelin, përdoruesit e tij hodhën sytë
përqark për ndonjë software tjetër të lirë që mund t’i përshtatej,
dhe u doli se (pa ndonjë arsye të veçantë) shumica e gjërave të nevojshme
për të ndërtuar një sistem të ngjashëm me Unix-in qenë gati që më parë.
Çka gjetën, nuk qe rastësi—qe sistemi jo-dhe-aq-i-plotësuar GNU. Software-i i lirë, i passhëm
deri atëherë, i shkonte për shtat një sistemi të plotë, ngaqë Projekti GNU
kish që më 1984 që punonte për një të tillë. Me Manifestin e GNU-së ne shpalosëm synimin e
zhvillimit të një sistemi të lirë të ngjashëm me Unix-in, të quajtur GNU.
Njoftimi Fillestar mbi
Projektin GNU përvijon po ashtu disa nga planet origjinale për sistemin
GNU. Në kohën që Linux-i zuri fill, GNU thuajse kish përfunduar.
Shumica e projekteve të software-it të lirë synojnë hartimin e një programi
të veçantë për një punë të veçantë. Për shembull, Linus Torvalds-i i hyri
shkrimit të një kerneli të ngjashëm me Unix-in (Linux); Donald Knuth-i i
hyri shkrimit të një formatuesi tekstesh (TeX); Bob Scheifler-i i hyri
zhvillimit të një sistemi dritaresh (Sistemi i Dritareve X). Është e
kuptueshme të matet kontributi në këtë lloj projektesh sipas programeve që
erdhën nga projektet.
Po të provonim të matnim kontributin e Projektit GNU me këtë rrugë, ç’do të
na dilte? Një shitës CD-ROM-esh pa se në “shpërndarjen e tij
Linux”, software-i
GNU qe kontigjenti më i madh, me gati 28% të kodit burim gjithsej, dhe
këtu përfshiheshin disa nga përbërësit më të rëndësishëm pa të cilët nuk
mund të ketë sistem. Linux në vetvete qe rreth 3%. (Përpjesëtimet në 2008
qenë të ngjashëm: në depon “kryesore” të gNewSense-it, Linux kap
1.5% dhe paketat GNU zënë 15%.) Ndaj po qe se do të zgjidhnit një emër për
sistemin, bazuar në atë se kush shkrojti programet e sistemit, zgjedhja e
vetme më e përshtatshme do të ishte “GNU”.
Por kjo nuk është mënyra më e thellë për të parë çështjen. Projekti GNU nuk
qe, as nuk është, një projekt për të hartuar paketa software-i
specifik. Nuk qe projekt për hartimin e një
përpiluesi, edhe pse e bëmë dhe këtë. Nuk qe projekt për të hartuar një
përpunues tekstesh, edhe pse ndërtuam një të tillë. Projekti u hartua për
të ndërtuar një sistem krejt të lirë të ngjashëm me Unix-in: GNU.
Mjaft vetë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për software-in e lirë te
sistemi, dhe të tërë e meritojnë t’u jepet haka për software-in e tyre. Por
shkaku pse është sistem i integruar—dhe jo thjesht një
koleksion programesh të dobishme—është ngaqë Projekti GNU i hyri punës
për të ndërtuar një të tillë. Hartuam një listë të programeve të
domosdoshme për ndërtimin e një sistemi të plotë të lirë dhe, në
mënyrë sistematike, gjetëm, shkrojtëm, ose gjetëm njerëz për shkrimin e
gjithçkaje në listë. Shkruam përbërësit thelbësorë, por ama të pabujë (1) ngaqë pa ta nuk mund të kihet sistem. Disa nga
përbërësit e sistemit tonë, mjetet e programimit, u bënë popullorë për hesap
të vet në qarqet e programuesve, por shkruam mjaft përbërës që nuk janë
mjete (2). Hartuam madje edhe një lojë shahu, Shah
GNU, ngaqë një sistem i plotë lyp edhe lojëra.
Në fillimet e viteve '90 e bëmë tok krejt sistemin, hiq kernelin. E kishim
filluar dhe kernelin, GNU Hurd, i
cili xhiron përsipër Mach-ut. Zhvillimi i këtij kerneli doli shumë më i
vështirë se sa mendonim; GNU Hurd zuri
të punonte në mënyrë të besueshme më 2001, por ka ende shumë rrugë
derisa të jetë gati për përdorim të përgjithshëm.
Për fat, falë Linux-it, nuk na u desh të prisnim Hurd-in. Sapo Torvalds e
kaloi të lirë Linux-in më 1992, ky zinte vendin e fundit të zbrazët te
sistemi GNU. Pas kësaj njerëzit mund
të ndërthurnin Linux-in me sistemin GNU për të pasur një sistem të plotë
të lirë — një version të sistemit GNU që përmbante gjithashtu Linux.
Me fjalë të tjera, sistemin GNU/Linux.
Përputhja e tyre, që të punonin mirë tok, nuk qe punë e lehtë. Disa
përbërës GNU(3) lypnin ndryshime thelbësore që
të mund të punonin me Linux-in. Edhe integrimi i një sistemi të plotë, si
shpërndarje që do të punonte “drejt e sa të hapej”, qe punë e
madhe. Lypte trajtimin e çështjes se si të instalohej dhe nisej
sistemi—problem që nuk ishte zënë me dorë, ngaqë nuk kishim mbërritur
në atë pikë. Ndaj, njerëzit që hartuan shpërndarjet e ndryshme të sistemit
kryen shumë punë me rëndësi. Por qe punë e cila, për nga natyra e vet,
sigurisht që do të bëhej nga dikush.
Projekti GNU mbulon si sistemet GNU/Linux, ashtu edhe sistemin
GNU. FSF financoi rishkrimin e zgjerimeve
të nevojshëm për Linux-in të librarisë GNU C, e kështu tani janë të
integruar më së miri, dhe sistemet më të rinj GNU/Linux përdorin librarinë e
tanishme pa e ndryshuar. FSF-ja financoi gjithashtu një fazë të hershme të
zhvillimit të Debian GNU/Linux-it.
Sot ka mjaft versione të ndryshëm të sistemit GNU/Linux (shpesh të quajtura
“shpërndarje (distro)”). Shumica e tyre përfshijnë
software jo të lirë—hartuesit e tyre ndjekin filozofinë që i
përshoqërohet Linux-it, në vend se atë të GNU-së. Por ka edhe shpërndarje GNU/Linux krejtësisht të lira. FSF-ja
mbulon infrastrukturën kompjuterike për gNewSense.
Bërja e një shpërndarjeje GNU/Linux të lirë nuk është thjesht punë heqjeje
programesh të ndryshëm jo të lirë. Sot, edhe versioni i zakonshëm i
Linux-it përmban programe jo të lira. Këto programe janë konceptuar të
ngarkohen në pajisjet I/O kur niset sistemi, dhe përfshihen, si vargje të
gjatë numrash, në "kodin burim" të Linux-it. Ndaj, pasja e shpërndarjeve të
lira GNU/Linux tani nënkupton po aq pasjen e një versioni të lirë të
Linux-it.
E përdorni a jo GNU/Linux-in, ju lutemi, mos e ngatërroni publikun duke
përdorur emrin “Linux” në mënyrë të dykuptimtë. Linux është
kerneli, një nga përbërësit më të rëndësishëm të sistemit. Sistemi si i
tërë është në fakt sistemi GNU, me Linux-in të shtuar aty. Kur flisni rreth
kësaj ndërthurje, ju lutemi, quajeni “GNU/Linux”.
Nëse doni të krijoni një lidhje te “GNU/Linux” për referencë të
mëtejshme, kjo faqe dhe
http://www.gnu.org/gnu/the-gnu-project.html janë zgjedhje të mirë. Nëse
përmendni Linux-in, kernelin, dhe doni të shtoni një lidhje për referenca të
mëtejshme, http://foldoc.org/linux
është një URL e mirë për ta përdorur.
Shtesë: Përveç GNU-së, një tjetër projekt ka prodhuar në mënyrë të pavarur
një sistem operativ të lirë të ngjashëm me Unix-in. Ky sistem njihet si
BSD, dhe qe ndërtuar në UC Berkeley. Nuk qe i lirë në vitet ’80, por u
kalua i lirë në fillim të viteve ’90. Sistemet e lirë operativë që
ekzistojnë sot(4) janë, pothuaj me siguri, ose
variante të sistemit GNU, ose ndonjë lloj sistemi BSD.
Ndonjëherë njerëzit pyesin nëse edhe BSD-ja është version i GNU-së, si
GNU/Linux-i. Zhvilluesit e BSD-së u frymëzuan nga shembulli i Projektit GNU
kur e kaluan kodin e tyre si të lirë, dhe në bindjen e tyre ndihmuan thirrje
të bëra shprehimisht nga veprimtarë të GNU-së, por kodi në fjalë puqet pak
me GNU-në. Sistemet BSD sot përdorin disa programe GNU, ashtu si edhe
sistemet GNU dhe variantet e tyre përdorin disa programe BSD; megjithatë,
shqyrtuar në tërësi, janë dy sisteme të ndryshëm që kanë bërë përpara
ndarazi. Zhvilluesit e BSD-së nuk shkruan ndonjë kernel dhe t’ia shtonin
sistemit GNU, dhe ndonjë emër si GNU/BSD nuk do të pasqyronte gjendjen e
njëmendtë.(5)
Shënime:
-
Këta përbërës të pabujë, por thelbësorë, përfshijnë
asemblerin GNU (GAS) dhe linker-in (GLD), që të dy tani pjesë e paketës GNU Binutils, GNU
tar, dhe shumë të tjerë.
-
Sa për shembull, The Bourne Again SHell (BASH),
interpretuesi PostScript Ghostscript, dhe libraria GNU C nuk janë mjete
programimi. As GNUCash, as GNOME, dhe as GNU Chess.
-
Sa për shembull, libraria GNU C.
-
Pas shkrimit të këtij artikulli, u zhvillua një
sistem thuajse-krejt-i-lirë, i ngjashëm me Windows-in, por teknikisht nuk
është fare i ngjashëm me GNU-në apo Unix-in, ndaj përnjëmend nuk hyn fare
këtu. Shumica e kernelit të Solaris-it është kaluar si i lirë, por nëse
doni të nxirrni prej tij një sistem të lirë, veç plotësimit të pjesëve që
mungojnë te kerneli, do t’ju duhej edhe ta bënit të hynte te GNU-ja ose
BSD-ja.
-
Nga ana tjetër, përgjatë viteve, qëkur u shkrua ky
artikull, Libraria C GNU është përshtatur për disa versione të kernelit BSD,
çka e bëri fare të thjeshtë ndërthurjen e sistemit GNU me atë kernel. Ashtu
si GNU/Linux-i, këta në fakt janë variante të GNU-së, ndaj edhe quhen, fjala
vjen, GNU/kFreeBSD dhe GNU/kNetBSD, në varësi të kernelit të sistemit.
Përdoruesit e zakonshëm zor të dallojnë një desktop GNU/Linux nga një
desktop GNU/*BSD.